Korniza Evropiane e Kualifikimeve

Korniza Evropiane e Kualifikimeve (anglisht: European Qualifications Framework) si një themel kryesor i mësimit gjatë gjithë jetës është një iniciativë e Bashkimit Evropian për identifikimin e kualifikimeve kombëtare në të gjitha vendet evropiane, të cilat fitohen ose arrihen përmes të gjitha formave të arsimit duke nisur nga arsimi fillor e deri te arsimi i lartë.

Korniza Evropiane e Kualifikimeve synon të lidh sistemet kombëtare të kualifikimeve të vendeve të ndryshme në një kornizë të përbashkët evropiane të referencës. Individët dhe punëdhënësit do të jenë në gjendje të përdorin Kornizën për të kuptuar dhe krahasuar më mirë nivelet e kualifikimeve të vendeve të ndryshme dhe sistemeve të ndryshme të arsimit dhe trajnimit.

Korniza Evropiane e Kualifikimeve përshkruan kualifikimet që fitohen kur një nxënës ose student përfundon një nivel të caktuar arsimor. Thelbi i Kornizës ka të bëjë me 8 (tetë) nivele referimi të cilat përcaktojnë atë që një nxënës ose student di, kupton dhe është në gjendje të bëjë në fund të procesit mësimor - 'rezultatet e të nxënit'. Nivelet e kualifikimeve kombëtare do të vendosen në një nga nivelet qendrore të referencës, duke filluar nga ato themelore (Niveli 1) deri te ai i avancuar (Niveli 8). Rezultatet e të nxënit ndahen në tre kategori: njohuri, aftësi dhe kompetenca. Kjo do të mundësojë një krahasim shumë më të lehtë midis kualifikimeve kombëtare dhe gjithashtu duhet të nënkuptojë që njerëzit nuk kanë pse të përsërisin mësimin e tyre nëse transferohen në një vend tjetër.


© MMXXIII Rich X Search. We shall prevail. All rights reserved. Rich X Search